Fjalor Shqip-Shqip

U gjetën 30 fjalë: (20.71 sekonda)

AUTO- I fjalëform. libr.

Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimet: 1. Automobilistik, i automobilave, që ka të bëjë me automjetet, i automjeteve; p.sh. autogarazh, autokolonë, autorepart, autopark, autotransport etj.

2. Që është vendosur në një automobil, automobil; p.sh. autoambulancë, autodyqan, autokinema, autosondë, autovinç etj.

AUTO- II fjalëform. libr.

1. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: «vetëlëvizës, që lëviz me motor të vetin»; p.sh. autokombajnë, automjet, autoqerre etj.

2. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që ka kuptimin: «automatik, që punon në mënyrë automatike»; p.sh. autopilot, autotimonier etj.

AUTO- III fjalëform. libr.

Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që nga kuptimi u përgjigjet fjalëve: i vet, i vetes; vetë: p.sh., autoakuzë, autobiografi, autogol, autokontroll, autoportret etj.

AUTOAMBULANCË f. sh.

Automjet i pajisur për ndihmën e shpejtë mjekësore dhe për të mbartur të sëmurët. Autoambulanca e spitalit (e poliklinikës). Autoambulanca e ndihmës së shpejtë. Shoferi i autoambulancës. Shkoj (marr) me autoambulancë.

AUTOBIOGRAFI f. sh.

Jetëshkrimi i një njeriu, i hartuar nga ai vetë. Autobiografia e kandidatit (e shkrimtarit). Shkruaj autobiografinë. Bëj autobiografinë. bised. tregoj shkurt për jetën time.

AUTOBIOGRAFIK mb.

Që ka të bëjë me autobiografinë; që është si autobiografi; që lidhet me vetë jetën e autorit. Vepër autobiografike. Tregim autobiografik. Shënime autobiografike.

AUTOBLINDË f. sh. usht.

Automjet luftarak i blinduar dhe i pajisur me armë, i cili shërben për mbrojtje, për zbulim e për ndërlidhje. Kulla e autoblindës. Qëlloi një autoblindë. Patrullon me autoblindë.

AUTOBOT m. sh.

Automjet i pajisur me një fuçi të madhe e të gjatë, që shërben për mbartjen e ujit, të benzinës e të lëngjeve të tjera. Autoboti i ujit. Autobot për qumësht (për verë). Çoj me autobot. Mbush autobotin.

AUTOBUS m. sh.

Automjet i mbuluar e me shumë vende për udhëtarë. Autobus i madh (me dy pjesë). Stacion autobusi. Shofer autobusi. Biletë autobusi. Hipi në autobus. Zbres nga autobusi. Niset (vjen) autobusi.

AUTOCISTERNË f. sh.

shih AUTOBOT,~I.

AUTODIDAKT mb. libr.

1. Që mëson shkrim e këndim dhe shkollohet vetë, pa mësues; që bëhet specialist në një fushë të caktuar duke mësuar vetë, pa ndjekur shkollë të rregullt. Njeri autodidakt. Filozof autodidakt. Në mënyrë autodidakte.

2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit.

AUTODROM m. sh.

Fushë me piste e me pajisje të posaçme për provat e automobilave ose për stërvitjet dhe garat sportive me automobila. Gara në autodrom. Eci (dal) në autodrom.

AUTODYQAN m. sh.

Automjet i përshtatur për të shitur mallra nëpër fshatra. Dërgoi autodyqanin.

AUTOFRIGORIFER m.

Automjet i pajisur me frigorifer par mbartjen e mishit, të peshkut dhe të sendeve të tjera ushqimore në gjendje të freskët a të ngrirë. Mbart me autofrigorifer.

AUTOGARAZH m. sh.

Garazh për automjetet. Ndërtoi një autogarazh.

AUTOGOL m. sh.

Gol që bën padashur një lojtar futbolli në portën e skuadrës së vet. Bëri (shënoi) një autogol. Humbën me autogol.

AUTOGRAF m. sh.

1. Nënshkrim, që i merret kryesisht një njeriu të njohur në një fushë, për ta mbajtur si kujtim; nënshkrimi i autorit me dorën e vet në një kopje të veprës së botuar. Libër (fotografi) me autograf. Bllok autografesh. I kërkoj autografin. Jap me autograf.

2. Teksti i një autori, i shkruar me dorën e tij.

AUTOINSPEKTORAT m.

Organ shtetëror që kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit nga shoferët dhe gjendjen e automjeteve. Autoinspektorati shtetëror. Dega e autoinspektoratit. Organet e autoinspektoratit. Kontrollor i autoinspektoratit.

AUTOKINEMA f. sh.

Automjet i pajisur me aparat projektimi për të shfaqur filma zakonisht në vende të hapura.

AUTOKLAVË f. sh. tek.

Enë krejt e mbyllur, në të cilën me anë të trysnisë së lartë të avullit ose të temperaturës së lartë sterilizohen veglat mjekësore e sende të tjera, kryhen procese teknologjike etj. Autoklavë për sterilizim. Fut çarçafët në autoklavë.

AUTOKOLONË f. sh.

Varg automobilash në rrugë, kolonë automjetesh. Autokolonë e gjatë. Kreu (fundi) i autokolonës. Niset autokolona.

AUTOKOMBAJNË f. sh.

Kombajnë e pajisur me motor, me të cilin lëviz vetë, si edhe pjesët e saj për korrje e shirje. Korr me autokombajnë.

AUTOKRACI f. libr.

Sistem qeverisjeje, në të cilin pushteti i lartë është në duart e një njeriu, të mbretit a të perandorit; absolutizëm. Autokracia cariste. Zgjedha e autokracisë. Përmbysën autokracinë.

AUTOKRAT m. sh. libr.

Ai që ka në duart e veta gjithë pushtetin e lartë, ai që sundon me pushtet të pakufizuar, sundimtar absolut.

AUTOKRATIK mb.

Që mbështetet në autokraci, që ka si formë qeverisjeje autokracinë; absolut. Shtet (regjim) autokratik. Pushtet autokratik. Sundim autokratik.

AUTOKRITIK mb.

Që mban qëndrim kritik kundrejt të metave të veta, që zbulon e pranon haptas dhe me vetëdije gabimet e veta dhe përpiqet t'i ndreqë; që përmban autokritikë; vetëkritik. Qëndrim autokritik. Vlerësim (diskutim) autokritik. Frymë autokritike. Me sy autokritik.

AUTOKRITIKË f. sh.

Zbulimi, pranimi i vetëdijshëm dhe dënimi i gabimeve të veta për t'i ndrequr; qëndrimi kritik kundrejt të metave të veta në punë, në sjellje etj., si metodë revolucionare e zhvillimit të shoqërisë socialiste; vetëkritikë. Autokritikë parimore (formale). Autokritikë e fortë (e shëndoshë, e sinqertë). Forcimi (gjallërimi) i autokritikës. Në frymën e kritikës e të autokritikës. Bëj autokritikë.

AUTOKTON m. sh. libr.

Pjesëtar i popullsisë fillestare të një vendi; banor i një vendi ku kanë jetuar paraardhësit e tij që në kohët më të lashta; vendës, anas, rrënjës.

AUTOKTON mb. libr.

1. Që është rrënjës në një vend; që banon në atë vend ku kanë jetuar paraardhësit e tij që në kohë më të lashta; vendës, anas. Popullsi autoktone. Banorët autoktonë.

2. Që është i atij vendi, që nuk është i ardhur; që është krijuar aty ku ndodhet sot. Bimë autoktone. Tokë autoktone.

AUTOKTONI f. libr.

Të qenët autokton, karakteri autokton. Autoktonia e shqiptarëve. Autoktonia e një bime.

Të kërkuara së fundmi

Copyright © Andi Hamolli.
All Rights Reserved.

www.000webhost.com