Fjalor Shqip-Shqip

U gjetën 30 fjalë: (0.70 sekonda)

ACIDEDASHËS mb. biol.

Që rritet mirë në një mjedis acid, që ka nevojë për një mjedis acid për t'u zhvilluar mirë. Bimë acidedashëse.

ATROFI f. sh. biol. mjek.

Dobësim, rrëgjim dhe mpirje e organeve a e indeve të veçanta të organizmit për shkak se u mungon ushqimi ose për shkak se qëndrojnë pa vepruar për një kohë të gjatë. Atrofi e muskujve. Atrofi e dorës (e kockës).

ATROFIZIM m. biol. mjek.

Veprimi dhe gjendja sipas kuptimeve të foljeve ATROFIZOJ, ATROFIZOHEM. Atrofizimi i gjymtyrëve.

BACIL m. sh. biol.

Bakter në trajtë të zgjatur si shkopth; bakter. Bacili i tuberkulozit (i tifos, i difterisë, i kolerës).

BAKTER m. kryes. sh. biol.

Organizëm shumë i vogël njëqelizor, që gjendet në ujë, në ajër, në tokë e në qenie të gjalla dhe kalbëzon e tharbëton lëndët organike ose shkakton sëmundje të ndryshme; mikrob. Baktere të dëmshme (të dobishme). Bakteret e difteritit (e tuberkulozit, e tifos). Bakteret e tokës. Bakteret e kalbëzimit (e tharbëtimit).

BIMËNGRËNËS mb. biol.

1. Që ushqehet me bimë. Qenie bimëngrënëse.

2. si em. ~, ~I m. sh. ~, ~IT. Kafshë a qenie tjetër që ushqehet me bimë.

BIO- fjalëform. libr.

1. Pjesa e parë e disa termave të përbërë, që tregon lidhjen me jetën dhe me proceset jetësore; p.sh. biofizikë, biokimi, biosferë, bioterapi, bioenergjetikë, biogjenezë etj.

2. Pjesa e parë e disa termave të përbërë, që i përgjigjet kuptimit të fjalës biologjik; p.sh. biopreparat, biofiltër, biokatalizator etj.

BIOFIZIKË f.

Shkencë që studion dukuritë dhe ligjet fizike tek organizmat e gjallë.

BIOGRAF m. sh.

Hartues i një jetëshkrimi, jetëshkrues. Biograf i njohur.

BIOGRAFI f. sh.

Përshkrimi i jetës së një njeriu, jetëshkrim; të dhënat për jetën dhe për veprimtarinë e dikujt. Biografi e pasur (e pastër). Bëj (shkruaj) biografinë. * I bëri biografinë keq. tha gjithçka dinte për një njeri, duke e marrë nëpër gojë.

BIOGRAFIK mb.

Që ka të bëjë me jetëshkrimin, jetëshkrimor. Shënime (të dhëna) biografike. Studim (artikull) biografik. Vepër biografike. Fjalor biografik.

BIOKIMI f.

Shkencë që studion proceset kimike tek organizmat e gjallë. Laboratori i biokimisë.

BIOLOG m. sh.

Specialist në fushën e biologjisë.

BIOLOGJI f.

1. Shkencë natyrore, që studion dukuritë e ligjet e përbashkëta të jetës e të zhvillimit të të gjitha qenieve të gjalla. Biologjia e përgjithshme. Biologjia e bimëve (e kafshëve). Kabineti (këndi) i biologjisë. Instituti (fakulteti) i biologjisë.

2. Veçoritë e ndërtimit dhe të zhvillimit të një qenieje të gjallë, që përcaktojnë natyrën e saj. Biologjia e një kafshe (e një kandrre). Biologjia e një bime.

3. Lëndë mësimore që jep njohuritë e kësaj shkence në shkollë; bised. teksti që përmban këto njohuri. Mësuesi i biologjisë. Ora e biologjisë. Mori dhjetë në biologji.

BIOLOGJIK mb.

1. Që ka të bëjë me biologjinë, i biologjisë; që ka të bëjë me jetën e gjallë ose me qeniet e gjalla. Proces biologjik. Ligj biologjik. Veti (veçori) biologjike. Analizë biologjike. Stacion biologjik. Vdekje biologjike. Nevojë biologjike. Kusht biologjik. Teori biologjike. Kabineti biologjik.

2. Që ka të bëjë me përdorimin e biologjisë ose me shfrytëzimin e mundësive dhe të mjeteve që jep ajo për qëllime praktike. Pastrim biologjik. Metodat biologjike. Armë biologjike. Lufta biologjike.

BIORRYMË f. sh.

Rrymë elektrike, që lind në indet e njerëzve, të kafshëve e të bimëve, për shkak të ndryshimeve të ngarkesave elektrike në anët e qelizave. Biorrymat e trurit. Regjistrimi i biorrymave.

BIOSFERË f. spec.

Zonë e rruzullit tokësor, në të cilën ka jetë; tërësia e qenieve të gjalla që jetojnë në tokë, në ujë dhe në atmosferë.

FEKONDIM m. sh. biol.

Pllenim. Fekondim artificial. Fekondim i kryqëzuar. Fekondimi i vezës. Bëhet fekondimi.

FEKONDOJ kal. biol.

Pllenoj.

GJEN m. sh. biol.

Element përbërës i kromozoneve të bërthamës qelizore, që është përçues i tipareve të trashëgueshme në organizmin pasardhës. Teoria e gjeneve.

GLUKOZË f. sh. biokim.

Lëndë e ëmbël, e tretshme në ujë, që gjendet kryesisht në frutat e sidomos te rrushi dhe që është shumë e rëndësishme për organizmin; sheqeri i rrushit. Glukoza e rrushit (e fikut, e portokallit).

IMUNIZOJ kal. biol. mjek.

E bëj një organizëm që të fitojë veti a aftësi mbrojtëse për të përballuar disa mikrobe e për të mos u prekur nga disa sëmundje ose për të mos u dëmtuar nga disa helme; i jap imunitet një organizmi, bëj që dikush të fitojë imunitet. Imunizoj fëmijët (nxënësit).

INDOR mb. biol.

Që ka të bëjë me indin, që i përket indit, i indit; i përbërë prej indesh. Lëng indor. Proteina indore. Grupe indore. Tërësi indore.

JASHTËQIT kal. biol.

Nxjerr jashtë trupit lëndët e panevojshme ose të dëmshme, nxjerr jashtë mbeturinat e ushqimeve, të lëngjeve etj.

JASHTËQITËS mb. biol.

Që bën jashtëqitjen, që shërben për jashtëqitje; që lidhet me jashtëqitjen. Organe jashtëqitëse. Funksione jashtëqitëse.

JASHTËQITJE f. sh. biol.

1. Veprimi sipas kuptimit të foljes JASHTËQIT. Organet e jashtëqitjes. Ndihmon (lehtëson) jashtëqitjen.

2. kryes. sh. libr. Lëndë të panevojshme ose të dëmshme që organizmi i nxjerr jashtë (mbeturina të ushqimeve, të lëngjeve etj.); nevoja e njeriut, bajgat e kafshëve, glasat e shpendëve etj.; të pëgërat. Jashtëqitje shtazore. Jashtëqitjet e kandrrave.

KARBOHIDRAT m. kryes. sh. biol., kim.

Bashkime organike të përbëra nga karboni, hidrogjeni e oksigjeni, që gjenden me shumicë në natyrë, sidomos në prodhimet bimore, dhe përbëjnë bazën e gjithë veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, të kafshës e të bimëve. Grupi (lloji) i karbohidrateve. I pasur me karbohidrate.

KROMOZOM m. sh. biol.

Një nga pjesët përbërëse të bërthamës së qelizës, me formë zakonisht të zgjatur, që ngjyroset e duket veçanërisht në kohën e ndarjes së saj dhe që ka rol përcaktues në trashëgimi e në zhvillimin e qenies së gjallë qysh kur ajo lind. Kromozomet iks (ipsilon).

METABOLIZËM m. biol.

Tërësia e shndërrimeve kimike e biologjike që kryhen në organizmin e qenieve të gjalla gjatë shkëmbimit të lëndëve; shkëmbimi i lëndëve në organizëm. Metabolizëm i rregullt (i çrregullt). Metabolizmi i organizmit (i njeriut, i kafshës, i bimës). Prishja e metabolizmit.

MIKROB m. sh. biol., mjek.

1. Organizëm shumë i vogël njëqelizor, që gjendet në ujë, në ajër, në tokë e në qenie të gjalla dhe kalbëzon e tharbëton lëndët organike ose shkakton sëmundje të ndryshme; bakter. Mikrob i dëmshëm (i dobishëm). Mikrobe vdekjeprurëse. Mikrobi i tifos (i tuberkulozit, i fruthit, i tërbimit). Zhvillimi (luftimi) i mikrobeve.

2. fig. Diçka e dëmshme dhe e keqe, diçka që të bren përbrenda e të shqetëson; krimb. Mikrobi i indiferentizmit (i pronës private, i interesit vetjak, i mendjemadhësisë). U futi mikrobin e grindjes. U ka hyrë mikrobi. Iu bë mikrob (duhani, një ves).

3. fig. Njeri parazit, i dëmshëm për shoqërinë; njeri që s'na ndahet, që na mërzit shumë e s'e durojmë dot. Mikrobet e shoqërisë. Na u bë mikrob.

Të kërkuara së fundmi

Copyright © Andi Hamolli.
All Rights Reserved.

000webhost logo